Sarandë – Butrint – Gjirokastër
Qyteti i Sarandës, që njihet edhe si “porta detare jugore e Shqipërisë”, gëzon një pozitë mjaft të favorshme përballë ishullit grek të Korfuzit. Saranda dhe zona përreth saj përbëjnë një prej resurseve më të rëndësishme turistike të Shqipërisë. Qyteti antik i Butrintit shtrihet në jug të liqenit të Butrintit, rreth 18 km nga Saranda. Kjo është pika më e rëndësishme arkeologjike e Shqipërisë, e cila që prej vitit 1992 ndodhet në listën e UNESCO-s. Objekte të tjera tërheqëse janë pikat e trashëgimisë kulturore e historike, si pika arkeologjike e Foinikes (në Finiq), kalaja e Lëkursit, (2 km në jug të Sarandës), rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve, kisha e Mesopotamit, si dhe pika natyrore e burimeve të Syrit të Kaltër. Nga Saranda ju mund të ndërmerrni një tur drejt qytetit me arkitekturë tipike të Gjirokastrës, e cila gjendet gjithashtu në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që prej vitit 2006. Në Gjirokastër gjendet kalaja më e madhe e Shqipërisë. Aty mund të vizitoni Muzeun e Armëve, i cili gjendet në kala, Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ishdiktatori komunist Enver Hoxha si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit të njohur në Europë, Ismail Kadare.
Vlorë – Nartë – Rradhimë – Orikum – Amantia – Apolloni
Vlora është porti i dytë i vendit si dhe një prej rajoneve më të rëndësishme turistike të tij. Prej saj ju mund të ndërmerrni udhëtime të cilat do t’ju zbulojnë objekte interesante. Në veri të qytetit të Vlorës ndodhet laguna e Nartës, e cila është laguna e dytë për nga madhësia në Shqipëri. Ky është një vend mjaft i rëndësishëm për folezimin e shpendëve ujorë si dhe një vend mjaft i njohur në Shqipëri për prodhimin e verës artizanale të Nartës. Pranë lagunës, në Zvërnec, gjendet Manastiri i Shën Marisë. Në jug të gjirit të Vlorës ndodhet qyteti i vogël i Orikumit, pranë të cilit ndodhet një port jahtesh, ku mund të parkohen deri në 650 të tillë. Orikumi përbën një park arkeologjik dhe është një prej qyteteve më të rëndësishme të botës antike. Aty mund të vizitoni teatrin e vjetër të Orikumit me kapacitet prej 500 vendesh si dhe kishën e Marmiroit. Përgjatë rrugës nga Vlora në Orikum do të kaloni plazhet e vogla me ujra mjaft të pastër të Jonufrit dhe Rradhimës. Një vend mjaft interesant është edhe Parku Arkeologjik i Amantias (pranë fshatit Plloçë) dhe stadiumi me të njëjtin emër.
Llogara – Palasë – Dhërmi – Vuno – Himarë – Qeparo – Borsh – Lukovë
Parku Kombëtar i Llogarasë ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2,018 metra mbi nivelin e detit. Parku i Llogarasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare. Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve ajrore. Pas zbritjes së Qafës së Llogarasë, do të kaloni plazhet e para të Rivierës Shqiptare, të cilat shquhen për cilësinë shumë të lartë të ujërave detare. Ato fillojnë me Dhraleon e Palasës dhe më pas plazhet e Dhërmiut, (Jaliksari, Shkambo, Gjipea). Plazhi i Gjipesë shquhet për bukuri të rrallë, pasi shtrihet rrëzë një kanioni afro 70 metra të lartë. Pranë Dhërmiut ndodhet edhe shpella detare e “Piratëve”. Ndërsa në fshat mund të vizitoni kishat e Shën Mitrit dhe Shën Stefanit.
Shkodër – Shirokë – Velipojë – Franc Josef – Lezhë – Shëngjin – Kune Vain
Ky tur ju njeh me zonën veriperëndimore të Shqipërisë, ku qyteti kryesor është Shkodra, i njohur si “kryeqyteti i veriut”. Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Një nga pikat kryesore të qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Këtu mund te vizitoni Muzeun Historik, Fototekën Marubi si dhe lagjet me arkitekturë veneciane të Gjuhadolit dhe Serreqit. Pranë qytetit shtrihet liqeni i Shkodrës, (liqeni me i madh i gadishullit ballkanik), me pikat e Shirokës dhe Zogajt. Shkodra mund të shërbejë si bazë për të vizituar objekte të tilla natyrore si ishullin e Franc Jozefit në grykëderdhjen e Bunës si dhe plazhin ranor të Velipojës. Disa kilometra në jug të Shkodrës ndodhet qyteti i Lezhës. Objektet kryesore për t’u vizituar në qytetin e Lezhës janë: Memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut, i cili u varros në katedralen e Shën Kollit në Lezhë në 1468, si dhe kalaja mbi qytet. Bregdeti i Lezhës ofron për ju plazhin ranor të Shëngjinit si dhe ekosistemin e rëndësishëm natyror të lagunave të Kune-Vainit në grykëderdhjen e Drinit. Një ekosistem tjetër interesant është edhe laguna e Patokut dhe grykëderdhja e Matit.
Valbonë – Shoshan – Dragobi – Selimaj – Rragam
Lugina e Valbonës shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare. Ajo është një prej zonave natyrore më të bukura të Shqipërisë, e shpallur park kombëtar dhe zë një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh. Valbona gjendet 25 km larg nga qyteti i Bajram Currit dhe është qendra kryesore e banuar e luginës. Duke eksploruar ketë luginë do të shikoni kanionin e Shoshanit si dhe fshtrat alpine të Dragobisë, Selimajt dhe Rragamit. Këtu mund të akomodoheni në strukturat e tipit “hane”. Mundësira të shumta për ngjitje malore, peshkim sportive në lumin e Valbonës etj.
Razëm – Bogë – Theth – Vermosh
Ky tur, ju jep mundësinë të shijoni një pjesë të papërsëritshme të Alpeve Shqiptare, duke depërtuar deri në zemër të tyre, në Gropën e Thethit. Nga fshati Dedaj, rruga kthen për në Razëm (pikë klimaterike) ose vazhdon drejt pikës tjetër të Bogës, e cila gjendet mes Alpeve dhe është përshkruar nga udhëtarja e famshme angleze Edith Durham në librin e saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”. Pas Bogës, kalohet Qafa e Tërthores dhe mbërrini në pikën turistike të kësaj zone, Thethi, që gjendet rreth 70 km larg Shkodrës. Ky tur ju jep mundësinë të eksploroni shpella të shumta karstike, të shihni ujëvarën e Grunasit në Theth si dhe të ushtroni aktivitete të shumta në natyrë. Vermoshi gjendet në skajin më verior të Republikës së Shqipërisë, dhe ofron gjithashtu një gamë të gjerë aktivitetesh në natyrë.
Pogradec – Lin – Drilon
Rruga për në qytetin piktoresk të Pogradecit kalon pranë bregut të liqenit të Ohrit, i cili me origjinën e tij tektonike dhe me thellësinë që arrin deri në 285 metra, është më i thelli në Ballkan. Liqeni me moshë 2-4 milion vjeçar, i cili për vlerat e tij unikale është shpallur pasuri e UNESCO-s, ruan në gjirin e tij 17 lloje peshqish, nga të cilët 70% janë endemikë dhe 30% lloje butakësh. Prej Pogradecit mund te vizitoni fshatin e Linit në veri të Liqenit, i cili shquhet për bazilikën e tij me mozaikë që gjendet në kodër. Në krahun jugor rreth 6 km larg Pogradecit gjenden burimet e ujërave të Drilonit, të cilat ofrojnë një mjedis shplodhës dhe restorante të shumtë ku gatuhet Korani, një lloj trofte që jeton pothuajse vetëm në liqenin e Ohrit.
Lugina e Vjosës – Këlcyrë – Përmet
Përmeti, qyteti i luleve, trëndafilave, këngëve të pashoqe, pastërtisë dhe qetësisë, (i njohur në antikitet me emrin “Tryfilia”, i banuar nga fise Ilire), njihet si qendër administrative që në shek. XV-të. Ky tur ju njeh me bukuritë e luginës së lumit Vjosa, ku bie në sy gryka e ngushtë e Këlcyrës. Mundësi të shumta për organizimin e sporteve ujore si raftig, kajake, etj.
Berat – Mali i Tomorrit – Shpella e Pirrogoshit – Kanionet e Osumit
Qyteti i Beratit, qyteti i njëmijë dritareve, me kulturë të lashtë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është një pikënisje e mirë për të eksploruar malin e Tomorrit, (i quajtur ndryshe “Olimpi Shqiptar”, ose froni i perëndive), i cili gjendet në një distancë prej 30-40 km larg qytetit. Ky mal, i cili përbën një park Kombëtar, është njeri prej maleve më të lartë në Shqipëri, (2.416 metra mbi nivelin e detit). Aty ndodhet edhe tyrbja e Abaz Aliut, i cili është një vend i shenjtë i sektit bektashinj. Për çdo gusht aty organizohet njëri prej pelegrinazheve më të mëdhenj në Shqipëri.
Tiranë – Krujë – Durrës – Elbasan
Zemra e Shqipërisë, kryeqyteti Tirana, si gjithë metropolet e tjera evropiane, ka energji dhe lëvizje të pashtershme. Me bar-et, pub-et, restorantet, tavernat. Tirana është e bukur për t’u zbuluar dhe shijuar, si ditën ashtu edhe natën. Këtu gjenden muze nga më të rëndësishmit në rang kombëtar si Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik, Galeria Kombëtare e Arteve Figurative etj. Qyteti historik i Krujës ndodhet 32 km larg Tiranës. Objekti kryesor turistik është kalaja e Krujës ku gjendet muzeu i heroit Kombëtar Skenderbeut së bashku me Muzeun Etnografik. Durrësi, porti më i madh i vendit ndodhet 34 km larg Tiranës. Është qyteti më i vjetër i Shqipërisë, me histori 3,000 vjeçare. Krahas plazheve të tij ju mund të vizitoni Amfiteatrin, (i dyti në gjithë Ballkanin për nga madhësia) si dhe Muzeun Arkeologjik. Qyteti i Elbasanit gjendet në juglindje të Tiranës. i njohur në antikitet me emrin Skampa, ai ka qënë një stacion i rëndësishëm i rrugës antike “Egnatia”. Objektet kryesore të qytetit janë muret e kalasë së Skampës, kisha e Shën Marisë brenda këtyre mureve, Muzeu Etnografik, hamami, xhamia e Nazireshës etj.